Brukseli paralajmëron Shqipërinë për projektin e Kushnerit: Rrezikohet Integrimi Europian?

Nga Redaksia – Nga Brukseli kanë ardhur sinjale të forta paralajmëruese për qeverinë shqiptare lidhur me projektin miliardësh të lidhur me Jared Kushner në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Vjosë-Nartës. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe deklaratave të Komisionit Europian për POLITICO, Shqipëria rrezikon të përplaset me standardet mjedisore të Bashkimit Europian nëse vazhdon me ndryshimet ligjore që hapin rrugën për betonizimin e zonave të mbrojtura.

Komisioni Europian ka deklaruar se Shqipëria duhet të “përmbahet nga veprimet që mund të minojnë përmbushjen e kritereve” për mbylljen e Kapitullit 27 të negociatave, i cili lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Brukseli kërkon harmonizim të plotë me Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet, ndërsa ka kërkuar edhe shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Në qendër të debatit ndodhet projekti luksoz turistik i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili synon zhvillime masive në bregdetin jugor shqiptar. Kundërshtarët e projektit argumentojnë se ai rrezikon një nga ekosistemet më të rëndësishme natyrore në vend, habitat i flamingove, breshkave detare, fokave mesdhetare dhe shumë specieve të tjera të mbrojtura.

Prej ditësh, protestat janë përhapur në Tiranë dhe në qytete të tjera, ndërsa diaspora shqiptare ka organizuar protesta edhe në Bruksel, Londër, Berlin dhe New York. Qytetarët kërkojnë anulimin e projektit dhe ndalimin e asaj që ata e quajnë shitje të territorit dhe pasurive natyrore të Shqipërisë.

Sipas raportimeve, ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj ka informuar Komisionin Europian se punimet për projektin janë pezulluar përkohësisht dhe se do të realizohet një vlerësim i ndikimit në mjedis në bashkëpunim me shoqërinë civile. Megjithatë, shqetësimet e Brukselit mbeten të forta.

Ndërkohë, opozitarë, aktivistë dhe ambientalistë e shohin këtë përplasje si një test të madh për Shqipërinë: nëse vendi do të zgjedhë mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe standardet europiane, apo interesat e investitorëve strategjikë dhe oligarkëve ndërkombëtarë. Për shumë shqiptarë, beteja për Zvërnecin nuk është vetëm çështje mjedisi, por edhe një betejë për sovranitetin kombëtar dhe të ardhmen e vendit.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit new.patriotikmedia.al/. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top