KUJDES: Paralajmërimi për një “False Flag” në Protestë dhe përpjekja për t’ia faturuar Iranit …
Protestat që po zgjerohen ditë pas dite po e vënë Ramën përballë një presioni politik në rritje
Nga Redaksia – Situata politike në Shqipëri po tensionohet çdo ditë e më shumë, ndërsa protestat kundër qeverisë po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Në këtë klimë të nxehtë politike, kanë filluar të qarkullojnë informacione dhe pretendime të forta që ngrenë pikëpyetje serioze mbi zhvillimet e ardhshme.
Sipas informacioneve që new.patriotikmedia.al/ ka siguruar nga burime konfidenciale, ekziston shqetësimi se mund të përgatitet një incident i organizuar, i cili më pas mund të përdoret për të frikësuar qytetarët dhe për të diskredituar protestat.
Sipas vlerësimit të burimeve tona, qëllimi i një skenari të tillë do të ishte krijimi i panikut dhe pasigurisë tek qytetarët dhe kjo do t’i shërbente pushtetit të Ramës për të larguar qytetarët nga protesta, në një moment kur pakënaqësia popullore po trondit gjithnjë e më shumë pozitat e kryeministrit.
Këto dyshime janë shtuar edhe më shumë pas deklaratave të fundit të kryeministrit Rama lidhur me reagimin e autoriteteve iraniane për situatën e protestave në Shqipëri.
Në një postim publik, Rama reagoi ndaj deklaratave të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, duke e akuzuar Teheranin për ndërhyrje në debatin e brendshëm shqiptar.
“Ja edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!”, shkroi Rama.
Pikërisht kjo përplasje verbale ka shtuar sinjale në opinionin publik se Rama mund të përpiqet të lidhë zhvillimet e protestave me faktorë të jashtëm, duke larguar vëmendjen nga pakënaqësitë e qytetarëve.
Tensioni politik po rritet, protestat po vazhdojnë dhe përplasja mes qeverisë dhe kundërshtarëve të saj po hyn në një fazë gjithnjë e më të ashpër.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit new.patriotikmedia.al/. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.


