“Atdheu nuk shitet”: Dita e 10 e protestës kombëtare – Mijëra shqiptarë nisin marshimin drejt kryeministrisë …
Nga Redaksia – Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbej”, në ditën e dhjetë të protestës kundër projektit të Zvërnecit, duke e kthyer kryeqytetin në qendrën e revoltës qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta të shumta patriotike, protestuesit kanë marshuar drejt Kryeministrisë duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec, dorëheqjen e qeverisë dhe ndalimin e asaj që ata e konsiderojnë “shitje të territorit kombëtar”.
Në pankartat e mbajtura nga qytetarët lexoheshin mesazhe të forta si:
“Edi Rama dorëhiqu”,
“Atdheu i shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”,
“Atdheu nuk shitet”,
si dhe thirrja që është kthyer në simbol të kësaj proteste:
“Rama në burg, Berisha në burg”.
Atmosfera në qendër të Tiranës është karakterizuar nga pjesëmarrja masive e qytetarëve të zakonshëm, të rinjve, familjarëve dhe emigrantëve të kthyer nga diaspora për t’iu bashkuar protestës. Organizatorët kanë theksuar se protesta nuk ka ngjyrime politike dhe se qytetarët janë ngritur kundër të gjithë klasës politike që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin për dekada.
Një nga protestueset që foli nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë deklaroi se protesta ka tronditur pushtetin dhe opozitën tradicionale njëkohësisht.
“Na thanë se jemi vetëm 2 mijë veta, por duket se ju kemi prishur gjumin si kryeministrit ashtu edhe atij që pretendon se drejton opozitën. Kanë marrë peng Shqipërinë prej 35 vitesh. Ne jemi më të fortë se kurrë për ta bërë këtë vend të jetueshëm me dinjitet. Jemi pa parti politike dhe thirrja ‘Rama në burg, Berisha në burg’ po jehon në gjithë Shqipërinë”, u shpreh ajo mes duartrokitjeve të turmës.
Një tjetër aktivist bëri të ditur se diaspora shqiptare po organizohet masivisht për t’iu bashkuar protestave në Tiranë. Sipas tij, nga Anglia pritet të mbërrijnë avionë charter me qindra shqiptarë.
“Në mërgatën tonë po organizohen avionë charter nga Anglia me 450 shqiptarë. Kemi shumë që kanë ardhur nga Gjermania dhe Italia. Vetëm dje dhe sot kam takuar mbi 150 emigrantë që janë bashkuar në protestë. Mos harroni se nesër është një ditë historike për kombin shqiptar – përvjetori i Lidhjes së Prizrenit – dhe ne sot duhet të deklarojmë se lidhja është gjallë”, deklaroi ai.
Protesta është shtrirë tashmë në disa qytete të vendit, përfshirë Durrësin, Fierin, Elbasanin, Kukësin, Korçën dhe Sarandën, ndërsa jehona e saj ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Shqiptarë të diasporës në Londër, Mynih, Milano, Firence, Bolonja dhe Berlin kanë zhvilluar protesta solidarizuese në mbështetje të qytetarëve të mbledhur në Tiranë.
Mes thirrjeve për “dorëheqje”, “reformim” dhe “qeveri teknike”, protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në anulimin e projektit të Zvërnecit dhe largimin e qeverisë aktuale. Sipas tyre, kjo lëvizje qytetare po shndërrohet në një revoltë kombëtare për mbrojtjen e tokës, sovranitetit dhe dinjitetit të shqiptarëve.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit new.patriotikmedia.al/. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.


