Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbushin rrugët me maqedonisht dhe greqisht …

Nga Redaksia –Ndërsa shqiptarët përballen çdo ditë me varfëri, emigrim dhe humbje të identitetit kombëtar, duket se qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë kanë zgjedhur një tjetër prioritet: zbehjen e gjuhës dhe simbolikës shqiptare në hapësirat publike.

Një reagim i fortë ka ardhur nga Kumanova, ku këshilltarët komunalë të AKI-së kanë denoncuar vendosjen e tabelave pa gjuhën shqipe në hyrje të fshatit Çerkez, një zonë me mbi 99% popullsi shqiptare. Sipas tyre, ky veprim përbën provokim të hapur dhe shkelje të parimit të dygjuhësisë, duke dëmtuar rëndë respektin ndaj identitetit kombëtar të banorëve shqiptarë.

Në reagimin e tyre, përfaqësuesit e AKI-së theksojnë se Kumanova dikur konsiderohej shembull i bashkëjetesës dhe respektimit të gjuhëve të komuniteteve, por sot po ndodh e kundërta. Vendosja e tabelave vetëm në maqedonisht shihet si përpjekje për të minimizuar praninë shqiptare në hapësirat publike.

Ata akuzojnë drejtuesit aktualë të komunës, me në krye Maksim Dimitrievskin dhe aleatët e tij në pushtetin lokal e qendror, se po krijojnë ndarje dhe tensione ndëretnike në vend që të respektojnë ligjin dhe barazinë.

AKI kërkon heqjen urgjente të tabelës dhe zëvendësimin e saj me tabelë dygjuhësore, duke theksuar se respektimi i shqipes nuk është privilegj, por detyrim ligjor dhe moral.

Por ndërkohë që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut luftojnë për të ruajtur gjuhën e tyre në trojet ku janë shumicë, në jug të Shqipërisë po ndodh një fenomen tjetër alarmant: shtimi i tabelave treguese në gjuhën greke.

Banorë dhe aktivistë kanë ngritur shqetësimin se në shumë zona të jugut, sidomos gjatë festave dhe aktiviteteve të organizuara nga pala greke, po vendosen tabela ku greqishtja trajtohet si gjuhë zyrtare paralele. Për shumë qytetarë kjo përbën një nënshtrim të heshtur kulturor dhe politik, ndërsa qeveria shqiptare hesht.

Ironikisht, ata që dalin çdo ditë në televizione duke folur për “patriotizëm” dhe “Shqipëri europiane”, nuk reagojnë kur gjuha shqipe largohet nga rrugët dhe zëvendësohet me serbisht, maqedonisht apo greqisht.

Shqiptarët kanë derdhur gjak për gjuhën dhe identitetin kombëtar. Sot, në vend që shteti të mbrojë trashëgiminë kombëtare, qytetarët po shohin sesi institucionet heshtin përballë provokimeve dhe politikave që cenojnë simbolikën shqiptare.

Pyetja që shtrohet sot është e drejtpërdrejtë: a kemi ende shtete që mbrojnë interesin kombëtar shqiptar, apo administrata që përkulen përballë interesave të huaja duke harruar gjuhën, historinë dhe identitetin e popullit të tyre?

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit new.patriotikmedia.al/. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top