Siguria kombëtare e Sazanit vlen më shumë se miliardat e investitorëve elitarë …
Nga Redaksia – Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka ngritur alarmin për atë që ai e konsideron një nga vendimet më të rrezikshme strategjike të viteve të fundit: nxjerrjen e Ishullit të Sazanit nga infrastruktura kritike e mbrojtjes kombëtare dhe kalimin e tij për zhvillime turistike private.
Sipas Malajt, bashkëjetesa mes kapitalit privat dhe aseteve ushtarake është e mundur, por vetëm kur shteti nuk cenon sovranitetin e tij, nuk dobëson mbrojtjen kombëtare dhe nuk sakrifikon interesin strategjik për përfitime afatshkurtra ekonomike.
“Siguria kombëtare vlen miliarda dollarë më shumë se investimet elitare”, shprehet ai, duke argumentuar se qeveria shqiptare ka cenuar disa elementë kritikë të mbrojtjes kombëtare për t’i vënë në dispozicion të interesave private.
Për shkak të pozicionit të tij strategjik në hyrje të Adriatikut, Sazani është konsideruar prej shekujsh një pikë nevralgjike për kontrollin e lëvizjeve detare.
Që në shekullin XVII, gjeografi venedikas Pjetër Koroneli shkruante:
“Ky që zotëron Sazanin, mban në dorë çelësin e komunikimit detar midis Gjirit të Venedikut dhe pjesës tjetër të Mesdheut.”
Edhe gjatë periudhës komuniste, ishulli konsiderohej një aset jetik ushtarak. Enver Hoxha e përshkruante Sazanin dhe Karaburunin si “muret e pathyeshme” të mbrojtjes së vendit në Kanalin e Otrantos.

Nën logjikën e Luftës së Ftohtë, ishulli u fortifikua masivisht. U ndërtuan mijëra bunkerë, tunele nëntokësore, strehime për mjete detare dhe struktura të projektuara për t’i rezistuar sulmeve bërthamore, kimike dhe konvencionale.
Në kulmin e funksionimit të tij, Sazani ishte një qendër ushtarake autonome me mijëra banorë, infrastrukturë civile dhe rezerva strategjike për përballimin e situatave të jashtëzakonshme.
Sipas ekspertëve të mbrojtjes të cituar nga Malaj, problemi nuk lidhet vetëm me zhvillimin turistik.
Në një periudhë kur vendet e NATO-s po rishikojnë dhe forcojnë asetet e tyre strategjike ushtarake, Shqipëria po ndjek rrugën e kundërt duke çmilitarizuar një nga pozicionet më të rëndësishme në Adriatik.
Sipas tij, humbja e funksionit ushtarak të Sazanit mund të dobësojë kapacitetet e vëzhgimit dhe kontrollit në Kanalin e Otrantos, duke krijuar boshllëqe në sigurinë detare dhe në mbledhjen e informacionit strategjik.
Një tjetër shqetësim lidhet me Parkun Kombëtar Detar Sazan-Karaburun, një nga zonat më të ruajtura natyrore në Shqipëri, e cila ka mbijetuar pikërisht falë statusit të saj të kufizuar ushtarak.
Arben Malaj argumenton se praktikat ndërkombëtare nuk e mbështesin modelin e propozuar për Sazanin.
Në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Finlandë ekzistojnë modele të ashtuquajtura “Dual-Use Infrastructure” ose “Bashkëjetesë Strategjike”, ku biznesi privat zhvillohet paralelisht me funksionin ushtarak, pa e zëvendësuar atë.
Në Presidio të San Franciskos, në Portsmouth të Britanisë dhe në ishullin ushtarak Örö të Finlandës, shteti ruan pronësinë dhe kontrollin strategjik, ndërsa aktivitetet private funksionojnë vetëm në zona të përcaktuara dhe nën mbikëqyrje të rreptë.
Në këto raste, ushtria mban gjithmonë fjalën e fundit dhe ka të drejtën ligjore të rimarrë kontrollin e plotë të territorit në çdo moment kur e kërkon interesi kombëtar.
Sipas Malajt, nëse Shqipëria do të ndiqte modelet e vendeve të NATO-s:
- Ishulli nuk do t’i kalonte në menaxhim ekskluziv një kompanie private.
- Forcat Detare do të ruanin funksionet strategjike dhe infrastrukturën ushtarake.
- Investimet private do të kufizoheshin në zona të caktuara dhe me kontrata qiraje afatgjata.
- Çdo vendim do të kalonte përmes filtrave të fortë të transparencës dhe mbikëqyrjes parlamentare.
Pikërisht këtu qëndron debati që po ndan opinionin publik: a po sakrifikohet një aset i pazëvendësueshëm i sigurisë kombëtare për interesa ekonomike afatshkurtra dhe përfitime të një grupi të kufizuar investitorësh?
Ndërsa SPAK ka nisur verifikimet mbi procedurat dhe aspektet ligjore të projektit, çështja e Sazanit mbetet shumë më tepër sesa një debat për turizmin. Ajo prek drejtpërdrejt sovranitetin, sigurinë kombëtare dhe mënyrën se si Shqipëria administron asetet e saj strategjike në një kohë kur tensionet gjeopolitike po rriten në të gjithë rajonin.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit new.patriotikmedia.al/. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.


